Nga: Samet ZAGRADI
Zahides , një vajzë nga fshati i del e drejta për studime në Tiranë e gëzim më të madh për të nuk kishte. Ajo do të studionte për shkenca komunikimi shtysë kjo nga dëshira e mësueses së saj të letërsisë. Gjimnazin me nota mesatare, tek tuk ndonjë dhjetë e mbaroi dhe synimet e saj u drejtuan diku më tutje. Ajo ishte një vajzë e thjeshtë, e dashur dhe të gjithë fshati bënte be në të. Vishej thjeshtë, sillej mirë me të gjithë dhe e ndrojtur në të shumtën e rasteve. Ishte fëmija e dytë e një familje të vogël hallexhie, me nënën e papunë dhe babain e saj ustah që me ditë të numëruara punonte gjatë një viti. Mezi jetonin në një shtëpi vogël, me një pencion koperative të gjyshit të saj që i kishte premtuar se lekët do jepte kur të niste universitetit. Në Tiranë kishte dajat e një në dy vera ajo shkonte dy tri netë me nënën e saj të cilën e kishte pikë të dobët. Dita e saj e zakonshme, sic do ditë në qytetin e saj të vogël ishte segmenti nga shkolla në shtëpi e anasjelltas, përvec të mërkurës dhe të premtes që me lejen e të atit ndiqte një kurs anglishteje. Atë e donin të gjithë dhe nuk kishin munguar as shkesit për me e lyp për nuse por prindërit këmbëngulnin që ta shkollonin e ti jepnin një drejtim të duhur për jetën e saj.
Tetori e gjeti Zahiden rrugëve të Qytetit Studenti që bashkë me të atin e saj endeshin të gjenin shtëpi që ajo të qëndronte. Natën e kalonin tek daja e saj dhe ditën vraponin drejt godinave derisa më në fund u sistemua. Ndarja me babain e saj ishte e vështirë aq sa javët e para në jetën e saj të re. Nuk ishte mësuar me jetesën në metropol. Nuk dinte rrugët, ngatërronte urbanët dhe malli për familjen vazhdonte të shtohej. Ajo nuk kishte ikur kurrë aq larg familjes së saj. Dalngadalë , Zahidja ambjentohet dhe fillon të miqësohet me njerëz të rinj. Daljet dita ditës bëhen më të shpeshta duke ndryshuar deri diku rutinën e saj. Jeta e saj dukej sikur po ndryshonte në shumë mënyra. Nuk kishte më kontrollin e të atit, fjalët e gjyshit, kujdesin e tepruar të nënës apo fjalët e botës. Atje ndihej e cliruar dhe mund të takonte lirisht një shok nga fshati apo disa kushëri pa frikën se ata do ta gjykonin. Tirana një vend ndryshe nga ku ajo ishte mësuar të jetonte.
Zahidja dukej se kishte rilindur. Tashmë ajo ishte vetë zotruese e vetes dhe e kohës së saj. E mësuar në varfëri pak para e tundonin shumë, saqë ky tundim filloi të ndryshojë dalë ngadalë karakterin e saj. Cdo ditë ndodhte dicka e re për të. Nuk e kontrollonte më kush sic ishte mësuar dhe gjithmonë ishte në kërkim të gjërave të reja. Pas gjashtë muajsh studime në Tiranë për herë të parë në jetën e saj guxon të ndryshojë lukun, duke pasuar më pas në ndryshime drastike që as nëna e saj ndoshta nuk do ta kishte njohur. Udhëtimet e saj në vendlindje sa vijnë e bëhen më të rralla dhe sa herë që vinte gjithmonë grindej dhe kthehej në Tiranë pa folur me familjarët e saj. Pencioni i gjyshit të saj bashkë me kredinë e butë që i ati e mori për shkollimin nuk mjaftonin për të plotësuar lukset që Zahidja kohët e fundit kishte kijuar në mëndjen e saj.
Asaj nuk i pëlqenin më shumë gjëra. Kritikat e prindërve, paragjykimet e një vendi të vogël, kthimi në vendlindje, shoqëria që ka pasur madje edhe emri i saj nuk i pëlqente më. Vazhdimisht vazhdonte të mohonte cdo gjë nga e kaluara. I vinte turp të fliste për babanë e saj, për mundin dhe sakrificën e pafund që nëna vazhdonte të bënte për të dhe për vëndin ku ajo lindi dhe u rrit. Fshati për të u bë i huaj, nuk vinte sepse gjykohej. Justifikimet se po punote në si gazetare në një radio private bënin që prindërit e saj të ndiheshin më të qetë dhe krenar për të. Ato nuk e dinin që Zahidja apo Sara sic ishte emri I saj I dytë po bënte jetën që e kishte ëndërruar që në gjimnaz, duke qënë që më herët nuk kishte pasur rastin të dëgjonte për klabe, të dashur, makina luksoze apo plazhe në jug të vendit, vend aq larg dhe ndryshe nga ai ku ajo ishte rritur.
Rrjetet sociale të hapura pas gjashtëmujorit të parë në universitet tregonin për “Jetën e luksit” që ajo bënte. Himara, Saranda, Budva, Gjiri Lalzit , ushqimet me fruta deti, bashkangjitur këtu veshje joshëse dhe foto me njerëz të njohur bënin që ndjekësat virtual dhe jo vetëm ti shtoheshin dita ditës. Me një emër të rremë nga ai I dokumentave ajo dukej sikur po shijonte cdo cast. Vera e nënës së saj në fshat duke punuar fort në pikë të vapës, babait të saj në bjeshkë duke mbledhur bimë kurative kishin një kontrast të dukshëm me jetën që ajo bënte mbi shpatullat e bisnesmenëve të martuar dhe pencionistëve të ve që endeshin rrugëve të kryeqytetit. Sigurisht ajo merrte shumë më shumë se pencioni që gjyshi i saj që cdo muaj ia dërgonte me shoferët e furgonëve të linjës. Kredia vazhdonte të lahej ngadalë ku cdo vit një vic i shitur duhet të shkonte tek banka dhe një tek qejfet që Zahidja kërkonte të bënte. Natyrisht lekët e fshatit ishin pak për të blerë telefonin e fundit, robat firmato që ajo blente apo aksesorët e kushtueshëm. Ajo nuk jetonte më në konvikt dhe nuk merrte më ushqime nga fshati. Nuk studionte dhe disa provime me petagogë i kalonte lehtë. Puna e saj në tri vite si studente e kishte bërë atë të njihej ke kësi lloj punësh. E kundërta ndodh me pjesën tjetër të pedagogëve që me ndershmëri dhe vetëdije të plotë bënë që asaj ti zgjatej shkolla në disa vite.
Ajo nuk arriti kurrë të bëhej një gazetare sic zysha e gjimnazit ëndëronte të bëhej. Madje as në radio nuk punoi kurrë përvec dy emisioneve praktike që pedagogu dhe dashnori saj njëkohësisht trajnonte studentët. Natyrisht rezultati i saj ishte më i mirë se atyre që derdhën djersë për të mësuar dhe punuar fort që me ndershmëri të sigurojnë jetesën. Pas shumë vitesh ajo kthehet e dëshpëruar në fshat, ku cdo gjë kishte ndryshuar përvec dashurisë së pafund të prindërve të saj. Gjyshi i saj vdiq tri vite pasi ajo iku në shkollë dhe kurrë nuk e pa atë të punonte ashtu sic ai kishte qejf ta shihte. Motrat dhe vëllai i saj, të gjihtë me fletë lavdërimi nëpër duar nxitimthi duan të mburren përpara saj….
Zahidja nuk ndoqi një shembull, ose më sakt ajo ndoqi shembullin më të keq që mund të ndiqte. Ajo zgjodhi rrugën më të lehtë për të përballuar sfidat e para në jetën e saj duke e ndryshuar totalisht atë. Ajo nuk përfaqëson aspak ato vajza të forta që po korrin sukses falë aftësive dhe lodhjes për të përballuar ndershmërisht jetesën dhe sfidat e ndryshme. Ajo nuk është fajtore. Fajtor është sistemi dhe shoqëria ku ne jetojmë. Fajtor janë modelet antivlerë që reklamohen dhe që lënë në hije të rinjtë heronj që punojnë fort për të bërë atë krenar atë fshat ku ai lindi.